Rasti Veteranët: Gjykata ndalon publikimin e dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve

Rasti Veteranët: Gjykata ndalon publikimin e dhënies së mbrojtjes së të akuzuarve

Është ndaluar publikimi në media i dhënies së mbrojtjes të të akuzuarve në rastin “Veteranët”.

Një vendim të tillë, kryetarja e trupit gjykues, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Nushe Kuka-Mekaj, e arsyetoi me faktin se të akuzuarit e tjerë largohen nga salla e gjykimit deri sa një i akuzuar është duke dhënë mbrojtjen, në mënyrë që të mos jenë në dijeni lidhur me përgjigjet e të akuzuarit gjatë marrjes së tij në pyetje.

Publikimi në media i dhënies së mbrojtjes së një të akuzuari, sipas gjyqtares, do të  pamundësonte një gjë të tillë dhe do të ndikonte edhe në procesin gjyqësor.

Tek pasi që të gjithë të akuzuarit do të përfundojnë dhënien e mbrojtjes së tyre, gjyqtarja tha se do të mund të publikohen deklarimet e të akuzuarve në media.

I pari që është ftuar nga të akuzuarit për të dhënë mbrojtjen e tij ishte ish-kryeministri, Agim Çeku.

Ndryshe, të martën ka filluar rishtazi gjykimi në rastin “Veteranët”, pasi që nga seanca e fundit e mbajtur për këtë rast, kanë kaluar më shumë se tre muaj. /Insajderi.com