Rastislav Kostilnik: Sllovakia e gatshme t’i ofrojë mbështetje Kosovës në fushën e Integrimit Evropian

Rastislav Kostilnik: Sllovakia e gatshme t’i ofrojë mbështetje Kosovës në fushën e Integrimit Evropian

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilnik, është shprehur i gatshëm t’i ofrojë mbështetje Kosovës në fushën e Integrimit Evropian si dhe asaj të Ekonomisë, njofton Insajderi.

Kostilnik theksoi se Sllovakia janë duke i kushtuar vëmendje të veçantë edhe procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Këto u thanë në takim me zv.kryeministrin e parë të Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, i cili e informoi Kostilnik se edhe Qeveria po synon që t’i kthehet procesit të dialogut duke qenë mirë të përgatitur.

Kostilnik gjithashtu uroi zv.kryeministrit Bislimi marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar suksese në përgjegjësitë e marra.

“Zv. kryeministri Bislimi e falënderoi Shefin e Zyrës Ndërlidhëse për vizitën dhe urimet, duke e mirëpritur interesimin e Sllovakisë në procesin e dialogut. Gjithashtu, Bislimi i bëri thirrje Sllovakisë që të bëhet pjesë e grupit të Bashkimit Evropian që e njeh Kosovën”.

Në njoftimin për media më tej thuhet se “diskutimi vazhdoi për planet e Qeverisë për zhvillim dhe mundësive për zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në mes të dy vendeve”. /Insajderi.com