RCC: Jemi të angazhuar për bashkëpunim ekonomik rajonal

Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal (RCC) ishte i ftuar në takimet “Minishengen” së bashku me BE-në, SHBA-në, Bankën Botërore (BB), BERZH-in dhe Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) për të dëgjuar propozimet e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor.

RCC: Jemi të angazhuar për bashkëpunim ekonomik rajonal

Por ditët e fundit ka pasur shumë paqartësi dhe mungesë informacioni të saktë për rolin e RCC-së në takimet e të ashtuquajturës iniciativa “Minishengen”.

RCC-ja thotë se është tërësisht e angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal.

“Me krenari ne bashkërendojmë dhe vëmë në zbatim Planin Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike në Ballkan, siç na është kërkuar dhe miratuar si detyrë nga të 6 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor tre vite më parë në Samitin e Procesit të Berlinit në Trieste. Të gjashta ekonomitë e rajonit, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, janë pjesë e këtij procesi në bazë të kërkesës së parashtruar nga të gjashtë udhëheqësit e sipërpërmendur, si një projekt me anën e të cilit do të çohet përpara bashkëpunimi ekonomik në zonën e Ballkanit Perëndimor, duke eliminuar barrierat sociale me lëvizjen e të rinjve, të profesionistëve, të aftësive dhe të novacionit në rajon”, thuhet në komunikatën e RCC.

Për RCC-në bashkëpunimi rajonal është një histori gjithnjë e në zhvillim.

“Bashkëpunimi rajonal merr kuptim atëherë kur objektivi përfundimtar është integrimi në BE. Meqenëse zgjerimi ka të bëjë me lidhjen e tregjeve dhe njerëzve me njëri-tjetrin, ne besojmë se çdo iniciativë që çon në heqjen e përfundimtare të barrierave brenda rajonit tonë, është tërësisht e domosdoshme dhe, si e tillë, duhet të merret patjetër në konsideratë. Për këtë arsye, ne jemi gjithnjë të vëmendshëm, duke i mbajtur sytë dhe veshët hapur, për çdo propozim që mund të vijë nga secila prej ekonomive të rajonit. Dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen”, përfundon komunikata.