Reagim i çuditshëm i IKShPK, po cilësohet si panikë

Rastet me COVID-19 po rriten çdo ditë e më shumë.

Reagim i çuditshëm i IKShPK, po cilësohet si panikë

Një reagim i orëve të vona në ditën e djeshme nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, ku thuhet, pos tjerash, edhe se “virusi vret”, është cilësuar i gabuar dhe përhapje paniku nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, njofton Insajderi.

“Përderisa pajtohem me qëllimin, mjeti, mënyra dhe përçuesi i porosisë lënë për të dëshiruar”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në Facebook.

Gjithashtu vazhdimi i tekstit ku IKSHPK shkruan “prindër vendoseni maskën, unë jam fëmija juaj, dua të rritem me prind”, është vlerësuar nga Ahmeti si “analogji e gabuar”.

“Instituti është institucion shkencor që jep fakte shkencore dhe analizon situaten për politikbërësit. Jep siguri për qytetarët se situata është nën kontroll. Jep rekomandime shkencore – dhe vetëm shkencore”, thotë Ahmeti.

“Mesazhi duhet të jetë i seriozitetit të virusit. Këtu pajtohem plotësisht. Por ka mënyrë më profesionale dhe më pak të çuditshme se kjo”.

Përveç Ahmetit, ka pasur edhe reagime të tjera nga gazetarë e opinionitë të ndryshëm që njoftimin e IKSHP-së e kanë cilësuar “të çuditshëm”.

Gjithashtu ka pasur edhe komente nga qytetarët në rrjete sociale, ku është vënë në diskutim formulimi i IKSHPK-së.

Për shkak të virusit dhe interesimit të madh të qytetarëve për të marrë sa më shumë informacion, faqja e IKSHPK-së në Facebook është bërë adresë e vazhdueshme e shumë qytetarëve për të kuptuar më shumë rreth COVID-19./Insajderi.com