Reagimi i “Admoveres” pas vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë

Reagimi i “Admoveres” pas vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që organizata joqeveritare “Admovere” ta heqë nga qarkullimi raportin në të cilin profesorin e Juridikut, Mejdi Bektashi, e quan plagjiator.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar organizata Admovere, e cila vendimin e Gjykatës e ka cilësuar si të padrejtë.

“Njoftojmë opinionin publik dhe mediat se OJQ «Admovere», sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së sigurisë në rastin e «padisë për shpifje» të Mejdi Bektashit kundër OJQ «Admovere», do ta tërheqë nga qarkullimi, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës, pjesën e raportit «Stafi Akademik i UP-së», faqe 43, paragrafi i parë, ku flitet për paditësin”, thuhet në njoftimin e kësaj OJQ-je.

“«Admovere» e konsideron vendimin e gjykatës si kufizim të padrejtë të lirisë së shprehjes dhe kundër tij do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor. Megjithëqë «Admovere» e konsideron vendimin të padrejtë dhe, pavarësisht mendimit për sistemin gjyqësor të Kosovës, ka vendosur që t’i shtjerë të gjitha mjetet ligjore, ndërkohë që do ta zbatojë vendimin në fjalë. Kjo na detyron që t’u kërkojmë të gjitha medieve që kanë publikuar pjesën e tërhequr nga ne, të veprojnë njësoj. Po ashtu, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që posedojnë kopje të raportit që ta tërheqin nga qarkullimi pjesën në fjalë deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, thuhet tutje në reagimin e Admoveres.

Gjykata në vendimin e vetë ka treguar se i njëjti do t’u dërgohet palëve ndërgjyqësore, si dhe Komisionit të Pavarur të Mediave. /Insajderi.com