Reagimi i Hotit: Raporti i Progresit tregon gjendjen e saktë të Kosovës

Reagimi i Hotit: Raporti i Progresit tregon gjendjen e saktë të Kosovës

Raporti i BE-së për Kosovën, i publikuar sot, përshkruan saktësisht gjendjen në të cilën jemi. Kundërvënia e zyrtarëve të lartë shtetërorë ndaj këtij raporti, me gjuhë të ashpër ndaj BE-së, nuk na ndihmon aspak.

Kështu ka deklaruar Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, kur ka komentuar raportin e Progresit për Kosovën nga Komisioni Evropian.

Sipas Hotit, në raport qartësohet se, veç tjerash, “Koalicioni qeverisës nuk i ka adresuar çështjet me rëndësi që janë të lidhura me progresin e Kosovës drejt BE-së dhe nuk ka arritur konsensus politik për çështjet e rëndësishme”.

“Përpjekja për shfuqizim të Ligjit për dhomat e specializuara ka ngritur shqetësime serioze në Bruksel për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare. Kërcënimet dhe fyerjet ndaj gazetarëve kanë vazhduar. Buxheti ka zhvilluar rregulla fiskale që e ruajnë qëndrueshmërinë fiskale, por shpenzimet për skema të caktuara në mënyrë të pakontrolluar po e rrezikojnë këtë stabilitet. Kosova nuk po bën progres në zbatimin e MSA-së”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Prandaj, Hoti vlerëson se duhet urgjent të arrihet konsensus nacional për reformat që duhet të ndërmerren.

“Këto vërejtje të BE-së duhet të përbejnë platformën nacionale të veprimit të të gjitha forcave politike në vend, duke lënë anash rivalitetin politik ditor. Ndryshe, qytetarët nuk do të na falin”, ka shtuar më tej Hoti.

Ai thotë se partia të cilës i takon, LDK, është e gatshme t’i prijë ndërtimit të platformës nacionale të veprimit për integrim në BE.

Sipas tij, kjo tryezë e partive politike, që thotë ta ketë propozuar LDK-ja, mund të shërbejë për tri gjëra.

“(i) ndërtimin e konsensusit nacional për temat e rëndësishme për të cilat nuk duhet të ketë rivalitet politik në zgjedhjet e parakohshme, (ii) dakordimin e parimeve qeverisëse që do të respektohen nga kushdo që nesër do të qeveris me vendin, dhe (iii) përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për të nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme”.