
Partia Socialdemokrate (PSD) nuk është shtrirë ende në terren dhe nuk ka ristrukturuar ende degët e partisë, ka thënë sot deputetja e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Shqipe Pantina, sipas të cilës këto janë dy arsyet përse PSD nuk arrin të dalë mirë në sondazhet lidhur me zgjedhjet parlamentare.
Sipas një sondazhi të publikuar sot nga organizata joqeveritare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), PSD-ja e udhëhequr nga Shpend Ahmeti nuk do të arrijë të kalojë pragun zgjedhor, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në një të ardhme të afërt.
E në një bisedë telefonike me Insajderin, Shqipe Pantina ka thënë se nuk e parë ende sondazhin e publikuar nga KDI-ja, mirëpo është shprehur se fakti që PSD nuk ka dalur mirë në rezultatet e sondazhit, ka të bëjë me disa faktorë.
“Të them të drejtën unë ende nuk e kam parë sondazhin. Sidoqoftë, PSD-ja është në fazën e riformulimit të saj, nëse mund të them. Natyrisht se ne ende nuk jemi shtrirë në terren dhe nuk kemi qenë shumë prezent në terren. Ndonëse PSD-ja si parti ekziston gati që 20 vjet, ne si grup sapo e kemi marrë menaxhimin e partisë dhe njerëzit ende nuk e dinë se cila është PSD-ja e re”, ka thënë Pantina.
Pantina ka deklaruar se Partia Socialdemokrate nuk ka realizuar ende asnjë sondazh në terren, dhe se momentalisht partia ka prioritete të tjera.
“Jo nuk kemi bërë ende sondazh sepse jemi duke u marrë akoma me ristrukturimin e subjektit. Për mendimin tonë, sondazhet ndonëse nuk janë të largëta, megjithatë nuk janë gjithmonë të sakta sepse duhet pasur parasysh edhe rrethanat kur krijohen zgjedhjet, çka i krijon ato zgjedhje dhe cila është fryma para atyre zgjedhjeve”, ka deklaruar Pantina për Insajderin.
Mirëpo, e pyetur nëse Partia Socialdemokrate është optimiste për kalimin e pragut zgjedhor – kurdo që do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare – Pantina ka thënë: “Natyrisht se po”.
Sipas Pantinës, ndonëse nuk dihet ende se kur do të krijohen zgjedhjet apo rrethanat në të cilat do të zhvillohen zgjedhjet, PSD do të përgatitet për rezultat pozitiv.