Reagimi i Qeverisë së Kosovës pas kërcënimeve të Serbisë ndaj Maxhunit, Sefajt dhe Zyberajt

Reagimi i Qeverisë së Kosovës pas kërcënimeve të Serbisë ndaj Maxhunit, Sefajt dhe Zyberajt

Ministri i Punëve të Brendshme serb, Nebojsha Stefanoviq një ditë më parë bëri me dije se do të ngritët aktakuzë ndaj gjithë atyre që kanë marrë pjesë në arrestimin e drejtorit të Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq.

Stefanoviq ka thënë se Prokuroria për Krim të Organizuar ka nisur hetimet rreth këtij rasti.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë janë duke punuar intensivisht në këtë drejtim dhe nuk do të hiqet dorë derisa fajtorët të sillen para organeve tona”, deklaroi Stefanoviq,.

Mirëpo, Qeverisë së Kosovës më nuk po i bëjnë përshtypje deklaratat dhe kërcënimet e zyrtarëve serbë.

Kreu i Ekipit Negociator me Serbinë, njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit, Avni Arifi ka thënë për lajmi.net se ka ardhur koha që Serbia ta ndryshojë politikën ndaj vendit tonë.

“Duhet të theksojmë se Serbia ende nuk e ka kuptuar se askujt në Kosovë nuk i bëjnë përshtypje kërcënimet e tyre. Ndoshta ka ardh koha që të ndryshojë politika e tyre ndaj Kosovës”, ka thënë Arifi.

Ish-drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj janë disa nga emrat e përfolur ndaj të cilëve pritet të ngrihet aktakuzë.

Marko Gjuriq u arrestua në fund të muajit të kaluar në Mitrovicën veriore pasi kishte hyrë në Kosovë pa leje të autoriteteve vendore.