
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur në Kuvendin e Kosovës për balotazhin e 19 nëntorit, ku sipas tij, fituese doli Vetëvendosje e humbën partitë që mbajtën pushtetin deri më tani.
Kurti tha se qytetarët thanë fjalën e tyre më 19 nëntor, por tha se vota e tyre po sulmohet që nga e diela e kaluar.
“Qytetarët e Republikës kanë vendosur të dielën e 19 nëntorit. Por pas të dielës regjimi ka filluar fushatën, duke e sulmuar votën e VV-së. Gara elektorale fitohet duke i bindur qytetarët, me program në teren. Jo duke i përdorur mediat që janë krijuar për të manipuluar”, tha Kurti.
Kurti, duke iu drejtuar partive në pushtet tha se zgjedhjet dëshmuan se ato as nuk mund ta blejnë vullnetin e qytetarëve.
“Këto zgjedhje treguan se as nuk mund ta bleni vullnetin e qytetarëve. Vota e qytetarëve tregoi se Shpendi mund ta vazhdojë qeverisjen e Prishtinës, se Prizreni do të udhëhiqet nga Mytaheri, e Kamenica nga Qëndroni”, tha ai.
“Nuk mund ta vjedhni këtë fitore, nuk mund t’ia vjedhni këtë vullnet qytetarëve. Koha juaj ka përfunduar”, përfundoi Kurti.