
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar në profilin e tij në Facebook, nga Franca, për ceremoninë e inaugurimit të presidentit Donald Trump.
Haradinaj është shprehur i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përkrahin Kosovën edhe nën administratën e Trump.
“Urime Presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump, urime Popullit Amerikan! Falënderime për Presidentin e deritashëm Obama dhe Administratën e tij, për gjithë mbështetjen për Kosovën dhe popullin e saj për këto tetë vjet! Jam i bindur se SHBA do të jenë partner strategjik i Kosovës edhe nën udhëheqjen e Presidentit Trump! Unë me zemër sot isha në Washington, ani se me trup në Francë e në pritje të lirisë që nuk tjetërsohet. Urime Amerikë!”, ka shkruar Haradinaj.
Ai thoshte se ka ftesë për pjesëmarrje në ceremonitë përcjellëse të inaugurimit të Presidentit, por iu pamundësua të jetë në SHBA pasi u ndalua në Francë më 4 janar nga një urdhër arrest që Beogradi e ka lëshuar përmes INTERPOL-it, në vitin 2004.
Haradinaj është liruar me kusht, dhe është i detyruar të qëndrojë në Francë deri në një vendim të ri të Gjykatës në Colmar. /Insajderi.com