Reagimi zyrtar i Vetëvendosjes që e thumbon Donika Kadaj-Bujupin

Reagimi zyrtar i Vetëvendosjes që e thumbon Donika Kadaj-Bujupin

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka reaguar për largimin e Donika Kadajt-Bujupit nga kjo parti, e cila i është rikthyer partisë së Ramush Haradinajt, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Insajderi.

Fillimisht në këtë njoftim thuhet për largimin e 13 deputetëve janë njoftuar vetëm përmes mediave teksa në komunikatën e tyre thuhet se nuk ka pasur asnjë sqarim me shkrim.

VV ka thumbuar Kadajn-Bujupin sa i takon qëndrimit të AAK-së karshi demarkacionit.

“Sot morëm vesh nga mediat se 13 deputetë janë larguar prej grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, subjektit tonë të cilit vota popullore i mundësoi përfaqësimin me 32 deputetë. Dymbëdhjetë prej të larguarve kanë krijuar një grup më vete në Kuvend, ndërsa njëra prej tyre, Donika Kadaj, është rikthyer në AAK-në e Ramush Haradinajt”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Sipas VV-së kthimi i Kadajt-Bujupit në AAK është tregues i mungesës absolute të qëndrimit politik. Teksa i kanë kujtuar Kadajt-Bujupit për kundërshtimet e saj të zëshme kundër Qeverisë Haradinaj.

“Deri më tash asnjë prej këtyre deputetëve nuk ka shprehur, me shkrim apo me gojë, ndonjë ide apo qëndrim politik të ndryshëm nga idetë dhe qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ndërsa vendimi i Donika Kadajt për t’u rikthyer në AAK është tregues i mungesës absolute të qëndrimit politik. AAK-ja është një parti e cila e ka ndryshuar radikalisht qëndrimin në raport me Marrëveshjen për ‘Demarkacionin’ me Malin e Zi, dhe, kjo parti po shënon edhe një numër të madh dështimesh në qeverisjen e vendit, gjëra kundër të cilave deputetja Kadaj ka qenë shumë e zëshme deri para pak ditësh”, thuhet në njoftimin e Vetëvendsojes./Insajderi.com