Reagon Albin Kurti pas publikimit të raportit nga Zvicera për Astrit Deharin

Reagon Albin Kurti pas publikimit të raportit nga Zvicera për Astrit Deharin

Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti, ka reaguar pas publikimit të ekspertizës zvicerane për rastin e Astrit Deharit.

Kurti ka shkruar në Facebook se për këtë rast duhet hetim i ri, i pavarur e profesional.

” Krimit mbi Astritin në duar të shtetit para tri vjetëve i është shtuar padrejtësia e shtetit tash e tri vjet. Drejtësia për Astritin nuk ka alternativë. Është në pyetje asgjë më pak se e drejta për jetë e qytetarit të Republikës”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit raporti i Institutit Zvicran është shkencor dhe i hollësishëm që konstaton se ka pasur persona të tretë duke e përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes.

“Ekspertët e mjekësisë ligjore nga Instituti i Lozanës në Zvicër e kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit. Raporti i tyre është shkencor dhe i hollësishëm për nga metoda dhe të gjeturat. Ata kanë konstatuar përfshirjen e personi/ave të tretë. Nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim. Jo vetëm mbi faktet e provat materiale. Sepse, duhen hetuar e shqyrtuar rrethanat fizike dhe të tjera të krimit, si dhe procesi i deritanishëm hetues. Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë”, shkruan Kurti.