Abdixhiku nuk ka komentuar se a ka qenë apo jo i arsyeshëm veprimi i deputetit Muhamet Mustafa për të angazhuar pa tender apo konkurs ekspertë që janë të lidhur me biznesin e tij, Riinvest-in. Ka zgjedhur ta fyejë mediumin që e publikoi këtë artikull.

Lumir Abdixhiku, drejtor në Institutin Riinvest ka reaguar në Facebook ndaj publikimit të artikullit “Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Qeveria e Kuvendi”.
Insajderi ka raportuar se deputeti i LDK-së, Muhamet Mustafa, me bekimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli angazhoi gjashtë ekspertë ndërkombëtarë për të ndihmuar në hartimin e ligjit për Trepçën. Dy prej këtyre ekspertëve janë të lidhur me Riinvestin, raportoi sot Insajderi. Angazhimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës u bë pa shpallur konkurs apo tender publik.
Abdixhiku nuk ka komentuar se a ka qenë apo jo i arsyeshëm veprimi i deputetit Muhamet Mustafa për të angazhuar pa tender apo konkurs ekspertë që janë të lidhur me biznesin e tij, Riinvest-in. Ka zgjedhur ta fyejë mediumin që e publikoi këtë artikull.
“Nën titullin “Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi e Qeveria”, portali “Insajder” me ose pa qëllim keqinformon publikun. Shpresoj të jetë një lëshim amater e jo një fushatë e porositur. Ndonëse, edhe në amaterizëm, standardet minimale të raportimit do të kërkonin së paku komunikim me të përmendurit. Në porositje, gjërat si këto natyrisht se s’kanë rëndësi”, ka shkruar Abdixhiku.
Derisa fillimisht ka shkruar se beson të mos jetë fushatë e porositur, në fund të reagimit të tij ka shkruar se është i bindur që është fushatë.
“Por nuk është hera e parë që ndërlidhemi me një fushatë të tillë që provon të ndyjë gjithçka në vend; t’i bëjë të gjithë njëjtë. Shpesh kemi zgjedhur heshtjen. Është e kotë të merresh me fushata të tilla; as me reagime as me polemika. Por po reagoj ketë herë sepse së paku, në bindje të deritanishme, kam konsideruar “Insajderin” si portal serioz, jo si një vagon i qymez-portaleve klikuese e dezinformuese që na dalin sot gjithandej”, ka shkruar Abdixhiku.
Reagimi i plotë i Lumir Abdixhikut, drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest.
Çfarë raportimi. Veç në Kosovë.
“Kur s’i lexon mediat, je i painformuar, kur i lexon ato je i keqinformuar” – D. Washington
Nën titullin “Ekspertët e Riinvestit përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi e Qeveria”, portali “Insajder” me ose pa qëllim keqinformon publikun. Shpresoj të jetë një lëshim amater e jo një fushatë e porositur. Ndonëse, edhe në amaterizëm, standardet minimale të raportimit do të kërkonin së paku komunikim me të përmendurit. Në porositje, gjërat si këto natyrisht se s’kanë rëndësi.
Sikur të na kontaktonin, do ta kuptonin se ekspertët e Riinvestit kanë emër e mbiemër. Kanë kontratë pune. Janë të gjithë publike në faqen tonë, me fotografi e biografi. Dhe këta ekspertë kanë marrë ZERO EURO nga Qeveria. Instituti Riinvest nuk merr para, s’aplikon e nuk kontraktohet nga institucionet publike. E kemi bërë këtë për t’iu shmangur secilit interpretim dashakeqës korruptiv; ndonëse nga fondet publike shpërndahen secilin vit mbi 14 milionë euro për organizata të tjera. Ne pra s’aplikojmë hiç. Një standard si ky ishte dashtë të shihej si model – shihni çfarë marrim në kthim.
Tash paramendoni, fjala na qenka për 5 ekspertë ndërkombëtarë, me vende pune të gjithë jashtë (profesorë anglez, australian e kanadez), që qenkan angazhuar individualisht nga Kuvendi për këshilldhënie në ligjin e Trepçës e i paskan marrë secili nga 4,500 euro. Dhe këta ekspertë të jashtëm, dy nga gjashtë, qenkan ekspertë të Riinvestit sepse, besoni ose jo, dikur paskan pasur një përvojë me Riinvestin. Kjo është lidhja që ju është bërë.
Njerëz që kanë kaluar nëpër projekte të Riinvestit janë me mijëra sosh. Po i mbushim 22 vjet. Ne s’mund të mbajmë lidhje e ndërlidhje me secilin që ka pasur dikur përvojë nëpër organizatën tonë. Marrëdhëniet kontraktuale të njerëzve që s’janë të punësuar tek ne, pra nuk janë ekspertë tanë e s’kanë qenë asnjëherë, s’mund ti kontrollojmë. Angazhimi i tyre është krejt individual. As që dua të futem në detaje se njëri nga të kontraktuarit në fjalë, Iraj Hashi, është i nderuar me çmimin më të lartë nga Mbretëresha e Britanisë për kontributin e dhënë në Kosovë. Po të pyetesha, do ta rekomandojë për shumë tema të tjera në Kosovë. Temë krejt tjetër kjo.
Por nuk është hera e parë që ndërlidhemi me një fushatë të tillë që provon të ndyjë gjithçka në vend; t’i bëjë të gjithë njëjtë. Shpesh kemi zgjedhur heshtjen. Është e kotë të merresh me fushata të tilla; as me reagime as me polemika. Por po reagoj ketë herë sepse së paku, në bindje të deritanishme, kam konsideruar “Insajderin” si portal serioz, jo si një vagon i qymez-portaleve klikuese e dezinformuese që na dalin sot gjithandej.
Mbajeni vetën pak.
Lexo edhe hulumtimin:
Ekspertët e Riinvest-it përfitojnë mijëra euro nga Kuvendi e Qeveria