Reagon Faton Klinaku: Liria ka emër, por jo emra të përveçëm

Reagon Faton Klinaku: Liria ka emër, por jo emra të përveçëm

Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku ka reaguar pas vendosjes së ekranit më sloganin “Liria ka emër” në muret e Hotel Gradnit, njoftonn Insajderi.

Klinaku ka ngritur shqetësimin se fushata për mbështetjen e ushtarëve të luftës, që po akuzohen nga Gjykata Sepciale, përmban brenda vetes diskriminim.

Ai në profilin e tij në Facebook, ka thënë se “është diskriminim që në ekranin gjigant me sloganin Liria ka emër, figurojnë emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, por mungojnë emrat e Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt dhe Slih Mustafa – Calit”.

“Organizatorët e fushatës “Liria ka emër”, të cilët në anën ballore të hotelit Grand e kanë vendosur një ekran gjigant, por edhe të tjerët që në këtë fushatë (pavarësisht se është në mbrojtje të UÇK-së), janë duke bërë padrejtësisht diskriminim duke i ndarë të akuzuarit, të cilët janë në Gjykatën e padrejtë në Hagë.

Kjo fushatë, do të duhej që të fillonte me të akuzuarin e parë komandantin Sali Mustafa – Cali, i cili nuk e ka votuar këtë gjykatë, por gjatë fjalimit të tij kërkoj që t’i zgjerohen kompetencat me qëllim që të ndjek krimet, masakrat dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë nga serbët dhe Serbia pushtuese”.

Reagimin e tij Klinaku e ka përfunduar duke thënë se “pasi të jenë shkruar edhe emrat e drejtuesve të OVL-së së UÇK-së, të cilët nuk janë në Gjykatë Speciale për çështje personale, por për shkak se e kanë mbrojtur UÇK-në, pastaj edhe mund të vazhdohej me emrat e Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit”.