Reagon Gazmend Muhaxheri për balonën e djegur

Reagon Gazmend Muhaxheri për balonën e djegur

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar në lidhje me djegien e balonës “Mirë se vini në Pejë”.

Për këtë balonë ka pasur kritika të shumta për shkak se ngjyrat e tij u cilësuan që i përkisnin simboleve të Jugosllavisë.

Por, për Muhaxherin euforia e reagimeve ishte e jashtëzakonshme, madje sipas tij më tepër sesa duhej.

“Ngjarja e ditës së djeshme më trishtoi tmerrësisht! Duke parë reagimet e shumta, e dija se çdo arsyetim do të keqkuptohej dhe nuk do të gjente mbështetjen e një pjese të opinionit. Euforia e reagimeve ishte e jashtëzakonshme, ndoshta më tepër sesa duhej! Më e keqja e gjithë kësaj ishte se askush nuk kërkonte arsye: pse u vendos, kush e vendosi, dhe pse pikërisht këto ngjyra?”, tha Muhaxheri.

Ai nëpërmjët një reagimi në Facebook tha se balona ishte simbolikë e dhuruar nga një pilot francez.

“Balona e cila u vendos dje me mbishkrimin: “Komuna e Pejës, Mirë Se Vini” ishte një simbolikë e dhuruar nga piloti francez, kampion në aeronautizëm, z. Guy Cinquin. Ai e solli balonën me ajër të nxehtë të cilën tashmë shumica e keni parë në qiell. Pas kthimit në Francë, z. Cinquin e ka promovuar jashtëzakonisht mirë Pejën por edhe kulturën tonë në mediat e atjeshme. Ai u rikthye prapë në Pejë për të realizuar fluturime të tjera, dhe në shenjë mirënjohje e ka sjellur balonën e cila u vendos dje në hyrje të qytetit, madje atë e ka instaluar personalisht, duke mos e pasur idenë se veprimi i tij me qëllim të mirë, do të keqkuptohej”.

“Për fund – a është dashur të lejohet vendosja e kësaj balone me ngjyrat e flamurit francez, holandez apo siç pretendohej jugosllav – kronologjia e ngjarjes e paraqitur më lartë pasqyron qëllimin e vetëm të këtij instalacioni, të cilin tani në qetësi secili mund ta vlerësoj”. /Insajderi.com