
Lidhur me kërkesën e pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovë që të lirohen nga këto forca, ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie.
Delawie ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për “dorëheqjet e fundit të pjesëtarëve serbë të FSK-së”.
“Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të FSK-së është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të kremtohet, e jo të shkatërrohet”, ka shkruar Delawie në një postim në profilin e tij në Twitter, transmeton Koha.net.
Kujtojmë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka theksuar se arsyetimi i dhënë në kërkesën e dorëheqjes së këtyre pjesëtarëve është presioni i rritur nga Qeveria e Beogradit dhe kërcënimi për ta dhe familjet e tyre.