Reagon Hoti ne kuvend: Nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë

Reagon Hoti ne kuvend: Nuk do të ketë dialog teknik me Serbinë

Kryeministri, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës në Kuvendin e Kosovës se çështja e dialogut po rrëshqet nga dialog për zgjidhje përfundimtare në dialog për çështje teknike, njofton Insajderi.

Hoti pasi mori fjalën në kuvend ka ripërsëritur se nuk do të ketë asnjëherë dialog teknik me Serbinë, derisa potencoi se Kosova ka hyrë në proces të bisedimeve vetëm për njohje reciproke.

Tutje ai në interpelancën në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës tha se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të jetë marrëveshje e parimeve për normalizim të marrëdhënieve në mes dy vendeve pas njohjes reciproke.

Kreu i qeverisë tha se në raundet e deritanishme në nivel të koordinatorit për dialog ashtu edhe në nivel të lartë janë diskutuar tema e të pagjeturve dhe të zhvendosurve, raportet ekonomike, ndërkohë që ka filluar të trajtohet edhe çështja e obligimeve financiare.

Hoti ka folur para deputetëve edhe për temën e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku tha se kjo temë nuk hapet në dialog pasi ka një marrëveshje të vitit 2013./Insajderi.com