Reagon Isa Mustafa: Takimi me Kurtin po u pengon atyre që e zhvatën Kosovën

Reagon Isa Mustafa: Takimi me Kurtin po u pengon atyre që e zhvatën Kosovën

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, u është kundërpërgjigjur akuzave që i janë bërë së fundmi për bashkëpunim me VV-në, duke thënë se nuk e ka problem të bashkëpunojë me kundërshtarët e djeshëm politikë, por, me ata që e kanë zhvatur tash e sa vite Kosovën.

Ai thotë se i mjafton të dijë se Qeveria që ai ka udhëhequr për tre cilësohet si një nga më të mirat që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Përmes një shkrimi të gjatë në profilin e tij zyrtar në Facebook, Isa Mustafa thotë se nuk ka parti që nuk e ka sulmuar dhe nuk e ka etiketuar, kjo sidomos në kohën kur e mbante pozitën e kryeministrit.

“Përfaqësues të subjekteve opozitare dhe të ashtuquajtur opinionistë të pavarur sot po brengosen pse ata që më akuzonin dhe etiketonin nuk po vazhdojnë edhe më tutje, të më sulmojnë por po kërkojnë bashkëpunim”, deklaroi Mustafa.

“Dikush më quajti tradhtar, se kinse e shita një pjesë të territorit me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Të tjerët brohoritën në protesta të dhunshme: ‘Isë, Isë argat i Serbisë’. I treti thoshte se i ka dorëzuar në Prokurori mbi 70 dosje për punën time sa isha kryetar i Prishtinës. I katërti krekosej se isha frikacak dhe nuk kisha guxim të marr vendime të mëdha. Më emëruan për ministër të Rrahman Morinës e më quajtën Putin. Ishin akuza trishtuese, por unë s’ua vura veshin, e lashë të trishtohen trumbetuesit”, thotë lideri i LDK-së.

Ai përmend edhe disa raste, kur e gjuajtën me gurë eskortën e tij, ia sulmuan shtëpinë, si dhe sulmet me gaz lotsjellës.

“Si rrjedhojë e kësaj, eskortën time e gjuajtën me gurë, me sfera metalike e me iriqë çeliku, një grup huliganësh ma sulmuan shtëpinë me shishe molotovi. Flitej se kishin planifikuar të më sulmojnë dhe likuidojnë duke përdorur edhe dronët. Po ashtu flitej se partneri i koalicionit kishte lejuar dhe mundësuar hyrjen e papenguar të gazit lotsjellës në Kuvend. Të gjitha këto ishin pak si shumë! Krejtësisht jodemokratike”.

“Por nuk i bëri një subjekt. I organizuan dhe i bënë së bashku, VV, AAK, Nisma dhe këta që u konvertuan në socialdemokratë. Deputetët e tyre, pa dallim, gjuajtën me vezë në sallën e Kuvendit. Njerëzit e tyre, pa dallim, gjuajtën gurë e shishe molotovi mbi policinë dhe objektet qeveritare. Kur më gjuajtën me vezë, për herë të parë në sallën e Kuvendit, kryetari i Kuvendit urdhëroi mbrojtjen time të afër ta lëshojnë sallën, e të më gjuajnë pa u penguar, por ata nuk e dëgjuan”, ka shtuar ai, derisa ka përmendur edhe mocionin që u bë në bashkëpunim me Listën Serbe për ta rrëzuar nga Qeveria.