Reagon Kisha Protestante për atentatin ndaj publicistit kosovar

Reagon Kisha Protestante për atentatin ndaj publicistit kosovar

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, ka reaguar ndaj atentatit të publicistit kosovar, Gani Mehmetaj i cili është anëtar dhe veprimtar i këtij komuniteti.

Përmes një njoftimi për media, ka thënë se këtë sulm e vlerëson si atentat kundër fjales së lirë dhe lirive të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventave Ndërkombëtare.

“Sulme të tilla që kanë për bazë frikësimin e individit, kërcënimit ndaj fjalës së lirë, të lirisë së besimit, të përcaktimit dhe rendit demokratik, nuk duhet të kenë vend në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Shkrimtari dhe publicisti kosovar, Gani Mehmetaj, kishte njoftuar më 28 janar, se është kërcënuar me armë zjarri në shtëpinë e tij.

Këtë e ka bërë të ditur vetë shkrimtari përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka shprehur shqetësimin e tij rreth këtij kërcënimi.

Mehmetaj ndër të tjera është shprehur i pakënaqur edhe me policinë, pasi që këta të fundit kanë qenë vetëm një herë në shtëpinë e Mehmetajt për hetime dhe më nuk kanë reaguar rreth kësaj çështjeje. /Insajderi.com