Reagon Kushtetuesja: Letër-urimet janë standard në vendet demokratike

Reagon Kushtetuesja: Letër-urimet janë standard në vendet demokratike

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dekalruar se letër-urimet dërguar udhëheqësve shtetërorë, kur ata marrin detyrën, janë standard.

Nga ky institucion janë shprehur se një praktikë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, transmeton Insajderi.

“Letër-urimet e shkëmbyera me rastin e emërimeve ndërmjet bartësve institucional shtetëror janë praktikë standarde dhe e rëndomtë e çdo vendi demokratik. Dërgimi i letër-urimeve me rastin e emërimeve të zyrtarëve më të lartë shtetëror në Republikën e Kosovës: President, Kryeparlamentar, Kryeministër, Kryetar i Gjykatës Supreme, Avokat i Popullit dhe bartës të tjerë institucional, ka qenë dhe do të mbetet praktikë e Gjykatës Kushtetuese edhe në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni dërguar Klan Kosovës.

“Letër-urimet e tilla janë dërguar nga Gjykata edhe në rastin e zgjedhjes së kryeministrave pa dallim të përkatësisë partiake, pra si nga PDK, LDK, AAK dhe së fundi edhe LVV, që demanton shumë deklarime të pavërteta dhe të paqëndrueshme që janë publikuar sot në media nga subjekte dhe individë të ndryshëm”, thuhet tutje në përgjigjen e Kushtetueses.

Sipas tyre, ky veprim “nuk duhet dhe nuk mund të perceptohet si ‘nënshtrim’ ndaj asnjë institucioni tjetër, por ekskluzivisht dhe vetëm si shprehje e vullnetit të mirë për bashkëpunim ndër-institucional, me qëllim të promovimit dhe të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”.

Nga kjo gjykatë thonë se pavarësia vendimmarrëse dhe integriteti institucional i Gjykatës Kushtetuese, si edhe i çdo institucioni tjetër të pavarur shtetëror, janë të etabluara dhe të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese këtë tashmë e ka dëshmuar edhe nëpërmjet vendimmarrjes së saj që nga themelimi, ku pikërisht si pasojë e këtyre vendimeve kanë dhënë dorëheqje dhe janë ndërruar disa prej bartësve kryesor institucionalë”.

Kujtojmë se, të premten kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama Hajrizi, i ka dërguar letër-urimi Albin Kurtit, për zgjedhjen në postin e kryeministrit.

Kjo letër-urimi ka ngjallur reagime, përfshirë partinë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila përmes një komunikate për medie e ka cilësuar si të paprecedentë dhe të pazakontë./Insajderi.com