Reagon laboratori që i mori 200 euro për një test për COVID-19, thonë se publikimi i faturës s’është aspak shqetësues

Reagon laboratori që i mori 200 euro për një test për COVID-19, thonë se publikimi i faturës s’është aspak shqetësues

Edhe laboratori privat “Medical & Laboratory Services”, ndaj të cilit janë ngritur akuza të shumta për manipulim me çmimet, ka reaguar në lidhje me shumën prej rreth 200 eurosh që disa qytetarë kanë paguar për tu testuar për COVID-19, njofton Insajderi.

Nga ky laborator thonë se “ e shohin të nevojshme të sqarojnë opinionin e gjerë lifhur me disa shqetësime dhe reagime nëpër rrjete sociale në të cilat janë publikuar çmimet e testeve”.

Në sqarim thuhet se publikimi i faturës me çmimin prej 200 eurosh për një test të metodës PCR “nuk është shqetësues aspak”.

“Publikimi i tyre neper rrjete sociale e mediume të caktuara nuk është shqetësues aspak për ne si laborator, sa paraqiten të jenë shqetësuese dezinformatat qe i servohen opinionit të gjerë në këtë kohë jo të lehtë pandemie nëpër të cilën po kalon shoqëria jonë. Këto dezinformata mund të jenë të qëllimshme me tendenca të caktuara kundrejt laboratorit tonë. Madje, duke bërë krahasime (manipuluese) të çmimeve të llojeve të ndryshme të testeve (Serologjike me ato të metodës PCR) që aplikohen në vende evropiane me ato që aplikohen në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e “Medical Laboratory & Services”.

Tutje, në reagim, sikurse Ministria e Shëndetësisë (MSH), laboratori arsyetohet se pacientëve u shpjegohen metodat e kryerjes së testit bashkë me kohëzgjatjen, dhe se pastaj është në dorë të tyre të zgjedhin nëse duan apo jo ta kryejnë testimin.

“Në laboratorin tonë, pacientëve u shpjegohen të gjitha këto metoda dhe mbetet në dorën e atij/asaj që të vendos duke u bazuar në arsyetimin dhe kohëzgjatjen e bërjes së testit!”, thuhet në sqarim. /Insajderi.com