Reagon ministri Likaj: Shpifjet dhe shantazhet nuk më zmbrapsin – “unë vazhdoj me kokën lartë”

Ministri i Arsimit u ka reaguar organizatave që e kanë kritikuar, ka thënë se akuzat e tyre janë shpifje dhe se do të vazhdojë krenarisht përpara. Ka thënë edhe se “do të vazhdoj me kokën lartë”, në këtë rast fjala “lart” është e shkruar me “ë” në fund, që është gabim gramatikor. Ministri do të duhej të vazhdonte me “kokën lart” – pa Ë.

Reagon ministri Likaj: Shpifjet dhe shantazhet nuk më zmbrapsin – “unë vazhdoj me kokën lartë”

Disa organizata që merren me cilësinë e arsimit në Kosovë kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, që ta shkarkojë edhe ministrin e Arsimit, Ramë Likaj edhe zëvendësin e tij, Driton Bardhecin.

Organizatat thonë se emërimi i Likajt e Bardhecit është goditje për arsimin, sepse asnjëri prej tyre nuk janë kompetentë.

Likajn e akuzojnë se ka bërë plagjiaturë me punimet e tij, e Bardheci doli se ende është student, madje jo edhe aq i zoti, me notë mesatare 6.8.

Por, Likaj është kundërpërgjigjur.

Ka shkruar një shkrim ku e ka konsideruar reagimin e organizatave si shantazh ndaj tij dhe punës së tij.

Likaj shkruan se nuk ndalet as nuk zmbrapset.

“Shpifjet dhe shantazhe të tilla të orkestruara nuk më zmbrapsin nga përkushtimi dhe përgjegjësia ime në pozitën e re si Ministër, sikurse që nuk mund të cenojnë në asnjë moment punën time akademike”, shkruan Likaj.

Madje ai shton se këto akuza nuk po bëhen vetëm për ta dëmtuar atë, por edhe vetë Universitetin e Prishtinës.

“Shpifjet për punën dhe publikimet e mia akademike janë të pabaza, tendencioze dhe të orkestruara jo vetëm në diskreditim timin personal por si vazhdimësi e shantazheve dhe presioneve ndaj Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si tendencë për të ndikuar në zgjedhjet e reja në UP për përzgjedhjen e Rektorit dhe dekanëve të njësive akademike”, thotë Likaj.

“Këto sulme janë të drejtuara edhe kundër punës së mirë që kam filluar si Ministër i MASh”.

“Me bindje dhe përgjegjësi të plotë e them se përgjatë gjithë shkollimit tim dhe karrierës sime 26 -vjeçare profesionale, kam punuar shumë, ndershmërisht dhe asnjëherë nuk kam lejuar që me vetëdije të bëj diçka që do të dëmtonte imazhin tim, të familjes sime, të institucionit në të cilin punoj, dhe partisë të cilës i takoj”.

“Unë do të vazhdoj kokën lartë dhe me shumë përkushtim përgjegjësinë time si Ministër i Arsimit dhe Shkencës, kurse, shpifjeve dhe fyerjeve të orkestruara do t’u përgjigjem tutje me padi civile”./Insajderi.com