Reagon Ministria e Financave: Komuna e Prishtinës nuk i ka kryer procedurat për ekzekutimin e pakos për biznese

Reagon Ministria e Financave: Komuna e Prishtinës nuk i ka kryer procedurat për ekzekutimin e pakos për biznese

Ministria e Financave ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ende nuk i ka kryer procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pakos për t’i ndihmuar bizneset, ashtu siç parashihet në rregullativën ligjore, anipse ka publikuar listën e bizneseve përfituese, njofton Insajderi.

Sipas tyre, kjo komunë nuk ka dorëzuar në Thesarin e Shtetit një kërkesë zyrtare për pagesa të tilla (masive) për biznese dhe se atë duhet ta bëjë sa më parë për shkak të afateve për mbylljen e vitit fiskal.

“Për këtë proces dhe që t`ju ofrojmë mbështetjen e duhur, ne kemi lëshuar një qarkore (datë 09.12.2020) për të gjitha komunat, me udhëzimet e duhura ligjore dhe operacionale, ndërsa i kemi kthyer një përgjigje me shkrim Komunës së Prishtinës (me datën 10.12.2020), lidhur me aspektet procedurale të zbatimit të pakos për përfitues për biznese, bazuar në kërkesën e saj për sqarime rreth këtyre proceseve”, thuhet në njoftimin e MF-së.

Thesari bën me dije se zbatimi i këtyre pakove është në dorën e autoriteteve komunale (siç kanë bërë disa komuna tashmë), dhe kësisoj mbetet në përgjegjësinë e organizatave buxhetore që të kryejnë procedurat e rregullta të ekzekutimit të buxhetit./Insajderi.com