Reagon nëna e 18-vjeçares së abuzuar nga babai

Reagon nëna e 18-vjeçares së abuzuar nga babai

Një baba ka abuzuar për 3 vite me radhë me vajzën e tij, qëkur ajo ka qenë 15 vjeçe. Tashmë vajza është 18 vjeçe dhe mori guximin ta regjistronte babain e saj kur ai abuzonte seksualisht me të, histori kjo që u transmetua në emisonin ‘Fiks Fare’.

Viktima për abuzimin nga babai i saj ia kishte treguar edhe nënës së saj, e cila nuk e ka besuar në fillim. Edhe pasi ka parë regjistrimet audio dhe video, nëna e saj nuk e ka mbështetur vajzën e saj por u shpreh se ajo që kishte ndodhur, kishte ndodhur.

Opinioni publik shqiptar është shokuar nga kjo histori, ku madje u bë i mundur edhe arrestimi i babait të saj ‘monstër’ që e dhunonte vajzën e tij me çfarë të kishte në dorë, e më pas abuzonte seksualisht me të.

Mbrëmjen e djeshme, kjo histori është rikthyer sërish në emisionin “Fiks Fare”, ku shumë kërcënime janë bërë për këtë emision dhe për gazetarët që hulumtuan këtë çështje. Këto kërcënime kanë ardhur nga familjarët e 18-vjeçares, ku për çudi nuk mbështesin vajzën, por babain monstër.

Nëna e vajzës së abuzuar është shprehur në një bisedë telefonike se nuk do t’ja dijë më për vajzën, por kërkon florinjtë që i fejuari i vajzës i ka blerë vajzës kur u fejuan.

“Mos më nxirr gocën, ajo le të rrijë atje ku e keni çuar. Nuk e dua në shtëpinë time. Merrjani vajzës florinjtë, se janë duke i prit miqtë te shtëpia. Të lutem shumë dua florinjtë, se ke për t’i blerë sa nuk bën më, se po më presin miqtë te shtëpia. Mbajeni mend këtë që po ju them. Ti që po më përmend mua, me çfarë do ta lash? Unë dua florinjtë në shtëpi, kaq po të them”, këto kanë qenë fjalët e nënës së vajzës së abuzuar nga babai.

Familjarët e vajzës kërkojnë vazhdimisht që vajza e tyre të kthejë unazën e fejesës, së bashku me dhuratat që i fejuari i ka bërë ditën e lidhjes së tyre.

Familjarët, pas gjithë kësaj historie incesti, e braktisin vajzën duke mbështetur babain “monstër”.