Reagon Ridvan Berisha: SEEMO po gënjen, nuk ka trazira në RTK

Reagon Ridvan Berisha: SEEMO po gënjen, nuk ka trazira në RTK

Kryeredaktori i RTK 3, Ridvan Berisha ka thënë se në transmetuesin publik të Kosovës nuk ka trazira, pas reagimit të Organizatës së Medieve të Evropës Juglindore (SEEMO), e cila shprehu shqetësim të thellë për gjendjen aktuale në RTK.

SEEMO, përmes një komunikate të lëshuar për medie ka shkruar se në menaxhmentin e RTK-së ka trazira prej më shumë se një viti.

“Trazirat janë duke vazhduar me menaxhmentin e RTK -së për më shumë se një vit. Sindikata e RTK-së ka qenë disa herë dhe kohët e fundit nën sulm nga Drejtori i Përgjithshëm”, thuhet në reagimin që ka bërë sot SEEMO.

Mirëpo, i këtij mendimi nuk është kryeredaktori i kanalit të tretë të RTK-së, Ridvan Berisha, i cili ka akuzuar organizatës SEEMO se po tenton të destabilizojë transmetuesin publik të Kosovës.

Berisha ka thënë se kjo organizatë po gënjen, kur po tenton ta përkshkruajë gjendjen brenda RTK-së.

“SEEMO është mire me pa se në çfare gjendje janë transmetuesit publik në Ballkan, pse nuk flet aktivisht e zëshëm për gjendjen e katandisur te tyre? E tani paraqitet paramendo me nje komunikate të për ta përshkruar në mënyre te rrejshme gjendjen e RTK me cilësime se ne ketë medium ka trazira. Nuk është e vërtete qe ka trazira, ne trazira e ambicie janë disa zëra te vogël te cilët betejën po e bëjnë edhe me dreqin për t’i etabluar interesat e veta”, ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook.

Berisha ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të votojnë ligjin për RTK-në, e jo të influencohen, siç ka thënë ai, nga intrigat e shantazhet e ndryshme.

“SEEMO e shqetësuar për RTK. Leni këto dokrra koti. Po kujt po i shitni mend allahile. Deputetet bëjnë mire qe ligjin për RTK kur ta aprovojnë mos me u bazuar apo me mire me thane mos me u influencu nga intrigat e mbase edhe shantazhet e ndryshme që janë shtuar ditëve të fundit kinse po ia dëshirojnë te mirën RTK. Kotësira”, ka thënë Berisha.

SEEMO, në reagimin e sotëm të saj ka thënë se “është e shqetësuar edhe për mungesën e transparencës në hartimin e ndryshimeve në Ligjin për RTK-në, si edhe në miratimin pa diskutim publik të projekt-ndryshimeve nga Komisioni parlamentar për medie”.

“SEEMO i bën thirrje Kuvendit që të lejojë publikun e interesuar dhe organizatat profesionale të gazetarëve, grupet dhe Sindikatën e RTK-së për të marrë pjesë në debatin për amendamentet”, vazhdon reagimi.

Për më tepër, SEEMO është rrjet i redaktorëve, drejtuesve të medias dhe gazetarëve në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Puna e saj për lirinë e shtypit mbështetet nga Qendra Evropiane për Lirinë e Medieve dhe të Shtypit (ECPMF), si pjesë e një granti nga Komisioni Evropian. /Insajderi.com