Reagon sërish anëtari i VV-së – Jep detaje tjera rreth takimit

Reagon sërish anëtari i VV-së – Jep detaje tjera rreth takimit

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi, ka reaguar sërish në rrjetin social Facebook, në lidhje me spekulimet, siç i quan ai në media rreth marrëveshjes VV-LDK, shkruan Gazeta Insajderi.

Ai ka thënë se një pjesë e madhe e spekulimeve janë me qëllime të këqija, për të penguar marrëveshjen, apo për t’ia lënë fajin atij që s’e ka.

Zaimi, ka konfirmuar edhe njëherë se ende nuk ka marrëveshje.

“E vërteta është se ende nuk ka marrëveshje, por ka patur lëvizje dhe opsione të reja në tavolinë. Po ashtu, siç e kemi thënë ne, siç po e thotë aktualisht edhe nënkryetari i LDK në Rubikon, as nuk janë ofruar as kërkuar, më pak a më shumë se 5 ministri për secilin, as nuk ka diskutim kthim pas për kryetarin e Kuvendit. Do të kishim dashur të kishim të vërteta më të mira, por kaq ka. Nuk i shpikim dot që të mbushim portalet, se nuk paguhemi prej tyre”, është shprehur ai.

Krejt kjo ngjarje, erdhi si rrjedhojë e takimit të sotëm në mes VV-së e LDK-së, ku liderët  e këtyre partive, nuk u prononcuan para medieve pas takimit, i cili rezultoi edhe kësaj radhe pa marrëveshje.

Po ashtu ende nuk dihet se a do të ketë një takim tjetër ndërmjet liderëve të këtyre dy partive, të cilat pretendojnë të bashkëqeverisin./ Insajderi.com