Reagon sërish Musliu: Policia është vënë në shërbim të LDK-së

Reagon sërish Musliu: Policia është vënë në shërbim të LDK-së

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka akuzuar udhëheqësit e Policisë së Kosovës se janë vënë në shërbim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në Facebook, Musliu ka thënë se përderisa vjedhjet, grabitjet, plaçkitjet dhe sulmet janë kthyer në lajme ditore, udhëheqësit e Policisë më shumë shqetësohen për imazhin e LDK-së se sa për sigurinë e qytetarëve duke bërë krahasime statistikore pa asnjë analizë të mirëfilltë.

“Siguria e brendshme nuk është as për së afërmi në nivelin e duhur. Se në çfarë niveli është siguria shtetërore, mjafton të kujtohen kontrabandistët, xhandarmëria dhe provokimet e shtetit serb që hyjnë e dalin si “n’bahçe të babës” për t’i dhënë kësaj qeverie notën më të dobët nga të gjitha qeveritë e deritashme”, ka shkruar ajo.

Sipas Musliut, duke iu drejtuar Policia e Kosovës duhet të jetë garancë e mbrojtjes së rendit dhe ligjit dhe në të kujdeset për sigurinë e qytetarëve edhe nëse kryeministrat dhe partitë gabojnë.

“Politikanët shkojnë e vijnë. Policia është e Kosovës. Larg duart nga Policia!”, ka përfunduar Musliu./Insajderi.com