Reagon vozitësi i kryeministrit Kurti: Nuk jam emëruar këshilltar

Liman Hoti, shoqëruesi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është emëruar këshilltar politik i shefit të ekzekutivit, siç u raportua në disa media të shkruara pasditen e së premtes.

Lajmi për emërimin e Liman Hotit në pozitën e këshilltarit të kryeministrit Kurti u raportua bazuar në një fotografi të publikuar nga mediat, të pretenduar se ka rrjedhur nga Zyra e Kryeministrit, në të cilën përshkruhej pozita prej “këshilltari politik” e vozitësit të kryeministrit.

Por, shoferi i kryeministrit Kurti e ka mohuar lajmin.

Ai, përmes një shkrimi të publikuar në Facebook të premten, ka thënë se është punësuar në Kabinetin e Kryeministrit si “sigurim fizik/ vozitës” i kryeministrit Kurti. Ka publikuar kontratën e punës së lidhur me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

“Lajmi që po qarkullon për mua se gjoja jam emëruar si këshilltar i kryeministrit Kurti është tërësisht i pavërtetë”, ka thënë Hoti. 

Liman Hoti ka nënvizuar se e ka shoqëruar Albin Kurtin edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, para se ai të emërohej kryeministër i Kosovës. /Insajderi.com