Reçica thotë se Qeveria injoroi kërkesat e Nismës

Reçica thotë se Qeveria injoroi kërkesat e Nismës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, thotë se arsyeja që nuk e ka votuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Rishikuara 2021-2023, është mos-përfshirja e Nismave Ligjore të MPMS-së, në këtë dokument.

Reforma Pensionale, Ligji për Pushimin e Lehonisë dhe Ligji i punës, janë vetëm disa nga çështjet që MPMS i ka adresuar e që nuk janë përfshirë në KASH.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, thotë se në këtë dokument, i cili është kryesori sa i përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë.

“Unë bashkërisht edhe me kolegët e mi në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e nismës nuk e kemi votuar këtë kornizë për faktin se në këtë dokument i cili është dokumenti kryesor sa i përket planifikimeve buxhetore, nuk janë paraparë nismat ligjore të cilat janë të miratuara fillimisht në agjendën legjislative të Qeverisë. Bëhet fjalë për reformën pencionale, ligjin për pushimin e lehonisë, ligjin e punës dhe çështje të tjera të cilat ne i kemi iniciuar në kuadër të agjendës legjislative dhe pikërisht për këtë për shkak të mosakomodimit nuk e kemi votuar. Ne kemi kërkuar që të gjendet një hapësirë e akomodimit të këtyre nismave ligjore në kuadër të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, e cila pastaj i hap rrugë draftimit të tyre”, thotë ai për KP.

Ai ka theksuar se këto nisma ligjore të cilat janë iniciuar nga MPMS, kanë për qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve dhe mirëqenies së tyre, derisa shton se pret nga Qeveria një zgjidhje për shtyrjen përpara të këtyre nismave. /Insajderi.com