Reduktimet e energjisë, “tollovi” te semaforët në Prishtinë

Reduktimet e energjisë, “tollovi” te semaforët në Prishtinë

Reduktimet e energjisë elektrike kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim nëpër rrugët e Prishtinës.

Kjo, pasi që si mungesë e energjisë elektrike, semaforët në kryeqytet janë jofunksionalë, gjë që ka shkaktuar tollovi në trafik.

Mungesa e rrymës në semaforët e Prishtinës.

Në disa pamje të siguruara nga Shqip.com, shihet se veturat po lëvizin me vështirësi pasi që është shkaktuar një “kaos” te semaforët afër konvikteve.

Ndryshe, që nga e mërkura, vendi është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike.

Kompania e energjisë, KOSTT ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të ketë reduktime më të gjata se dy orë, siç është njoftuar në fillim.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Kadri Kadriu, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se plani që i kanë dorëzuar KEDS-it ka qenë të ketë reduktime dyorëshe çdo tetë orë.

“Mënyra e realizimit nuk ka qenë e thjeshtë. Ka nisur dje nga ora 11:00, plani ishte 8:2. Dmth kemi kursyer diku 150 megavat. Nevoja për reduktim është rritur, ky plan nuk do të mjaftojë”.

“Shpresojmë të mos shkojmë në masë që reduktimet të rriten edhe më tej. Shpresoj të jetë më shkurtër. Realizimin e planit e bën KEDS-i”, ka thënë Kadriu.

Ndryshe, Kompania Kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) gjatë së mërkurës ka paralajmëruar kufizime energjetike, të cilat po zgjasin me orë të tëra./Insajderi.com