Ushtruesi i detyrës së ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Philip Reeker, ka thënë se SHBA-ja do t’i vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian dhe palët tjera të interesuara për dialogun Kosovë-Serbi.
Në ditën kur në Bruksel është zhvilluar takimi midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në nivel ekspertësh për dialogun, zyrtari i lartë amerikanë ka thënë se “i vjen mirë për rifillimin e dialogut” dhe se SHBA do ta mbështesë këtë proces.
“Mendoj se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje dhe ne e mirëpresim këtë mundësi”, tha Reeker.
Ai konfirmoi se të premten në Bruksel do të takohet me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Sipas zyrtarit të Departamentit të Shtetit, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet edhe më tutje një përparësi e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara. Ai rikujtoi edhe nismën e përfaqësuesit të Posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell.
“Grenell ka punuar në aspektin ekonomik, për t’indihmuar të dyja vendet të gjejnë mënyra për të përmirësuar ekonomitë e tyre, pra për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Kjo është e pashmangshme për Serbinë dhe Kosovën si vende fqinje dhe kjo do t’ju ndihmojë atyre që të gjejnë një shteg në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve si dhe të ecin përpara në qëllimet dhe përparësitë afatgjate”, theksoi Reeker.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, Philip Reeker gjithashtu theksoi se “janë ndërmarrë hapa të shkëlqyer” në procesin e udhëhequr nga Grenell, dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin të dyja palët për të zbatuar marrëveshjet që u nënshkruan nën ndërmjetësimin e tij.
“Ambasadat tona në Beograd dhe Prishtinë mbeten aktive dhe janë në kontakt të ngushtë me qeveritë në të dyja vendet, me qëllim që t’i mbështesin ato për të gjetur një mënyrë që të ecin përpara në këtë proces. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona me Bashkimin Evropian dhe palët e tjera të interesuara”, përfundoi Reeker. /Insajderi.com/