Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka refuzuar ta pajisë me pëlqim mjedisor kompaninë “Hidrocom” për ndërtimin e hidrocentralit në lumin Kaçandoll të Podujevës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se ky vendim ka ardhur pas insistimit dhe këmbëngulësisë së komunës që të mos lejohet ndërtimi i hidrocentralit në rrjedhën e lumit.
“Pas insistimit dhe këmbëngulësisë sonë, që të mos lejojmë ndërtimin e hidrocentralit në rrjedhën e lumit Kaçandolli, sot edhe Ministria e Eknomisë dhe Ambientit ka refuzuar ta pajis me pëlqim mjedisor kompaninë “Hidrocom” sh.p.k. Llaplesellë, Graçanicë. Në këtë mënyrë ia kemi dalë ta ruajmë atë zonë nga degradimi i ambientit, siç do t’i ruajmë edhe pasuritë e tjera natyrore në komunën tonë”, ka shkruar Bulliqi në profilin e tij në Facebook.
Ndërtimi i hidrocentralit në lumin Kaçandolli është kundërshtuar në vazhdimësi nga Komuna e Podujevës. Madje, kjo e fundit pati ushtruar padi ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Sipas komunës, realizimi i këtij projekti do të dëmtonte ambientin-pasurinë natyrore të fshatrave përreth.
Mirëpo, kompania e cila kërkonte lejen për ndërtimin e tij pati deklaruar se ky hidrocentral nuk e dëmton natyrën e asaj pjese.
Ky projekt parashihej të ndërtohej brenda 24 muajsh. Hidrocentrali pritej të prodhonte mesatarisht 6,081,730 kilovat orë energji elektrike në vit./Insajderi.com
Pas insistimit dhe këmbëngulësisë sonë, që të mos lejojmë ndërtimin e hidrocentralit në rrjedhën e lumit…
Posted by Shpejtim Bulliqi on Friday, March 26, 2021