Reka: Beogradi ka filluar zbatimin praktik të “Botës Serbe”

Reka: Beogradi ka filluar zbatimin praktik të “Botës Serbe”

Ish-Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, thotë se Beogradi tash e tre muaj ka filluar zbatimin në praktikë të “Botës Serbe”.

Sipas tij, këtë po e bën duke destabilizuar Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Përmes një postimi në Facebook, thotë se Serbia përmes praktikimit të “Diplomacisë kishtare”, në bashkëpunim me inteligjencën ruse dhe me kreditë skllavëruese kineze, gati e kanë falimentuar Malin e Zi.

“Ambasadori Rus në Beograd vëzhgonte vendosjen e ushtrisë serbe në kufirin verior të Kosovës, ndërkaq që Rusia dhe Kina vazhdonin bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në OKB”, shkruan Reka.

“I njejti duet Ruso-Kinez në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, javën e kaluar e mbështeti Dodikun kundër pranisë ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë, pa reaguar fare kundër planit të tij për shkëputjen e Republika Srpska nga Federata dhe ndezjen e luftës së re”, vazhdon më tej ai.

Sipas tij, alarmin e ngritur në Uashington, e ka kuptuar edhe Brukseli, i cili siç thotë Reka, dje publikoi strategjinë e sigurisë 10 vjeçare, “EU Strategic Compass”, ku Rusia dhe Kina kualifikohen si kërcënim për BE-në.

“Mirëpo, kjo nuk e pengon Serbinë, të përkëdhelurën e BE-së, që ndonëse e negocion anëtarësimin me BE-në, tashmë u anëtarësua në Unionin Euro-Aziatik të Putinit dhe që me fonde të BE-së, paguan kompaninë kineze për ndërtimin e hekurudhës, Budapest-Beograd”.

“Si mund të negociojë Brukseli me Serbinë, kur kjo e fundit qartë e mbronë aleancën strategjike ruso-kineze?”.

“Javën e ardhshme Vuçiqi takohet në Moskë me Putinin, për të marrë instruksione të reja. Pastaj vazhdon me negociatat për anëtarësim me BE-në”./Insajderi.com