Tri universitete publike dhe disa kolegje private nuk do të mund të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019/2020, nëse respektohen vlerësimet nga raportet e ekspertëve ndërkombëtarë.
Ekspertët ndërkombëtar kanë gjetur vërejtje të shumta dhe kanë dhënë vlerësime negative duke rekomanduar mosakreditimin edhe për universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku prodekane është zonja e parë e Kosovës, Lumnije Thaçi, shkruan Insajderi.
Dy vite më parë, Gazeta Insajderi, pati zbuluar se punësimi i Zonjës së Parë në universitetin publik të Mitrovicës është bërë nëpërmjet një komisioni, i cili ka pasur në përbërje dy njerëz me të kaluar politike dhe një që ka mbajtur post të lartë publik, gjatë kohës kur qeveria udhëhiqej nga bashkëshorti i saj, Hashim Thaçi, tash president i Kosovës.
Ndwrsa tash raportet e hartuara nga ekspertet ndërkombëtarë, Anca Prisacariu dhe Oana Sarbu, konstatojnë se Universiteti i Mitrovicës dhe ai i Pejës janë vetëm pjesërisht në përputhje me standardet e manualit për akreditim të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka raportuar Koha Ditore.
Bazuar në rekomandimin negativ të ekspertëve, asnjëra nga institucionet e arsimit të lartë, që kanë marrë vlerësime të tilla, nuk do të mundë të regjistrojnë studentë në vitin akademik 2019/2020 në asnjë program studimor./ Insajderi.com