Në rrugën “Nekibe Kelmendi” në Prishtinë, dje një punëtor ka pësuar lëndime trupore.
Në raportin e policisë bëhet e ditur se ai është rrëzuar nga një lartësi prej 6 metrash, në një objekt që është në ndërtim e sipër. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor. Me urdhër të prokurorit, është intervistuar pronari i firmës dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt. Në vendin ku është rrëzuar punëtori, kishte qenë duke u ndërtuar një kompleks banesor, shkruan Insajderi.
Të përfshira në objektin ku ka rënë punëtori nga lartësia prej gjashtë metrash, janë këto kompani: “VG Contruction”, investitor i objektit, “Berisha Group”, kompani e kontraktuar për ndërtimin e objektit dhe kompania “Tre vëllëzërit” e nënkontraktuar nga Berisha Group. Punëtori i lënduar kishte qenë duke punuar për kompaninë “Tre vëllëzërit”.
“VG Contruction”, është investitor i bojektit. Korab Gashi, pronar i kësaj kompanie, e ka konfirmuar për Insajderi, se ka qenë investitor në këtë objekt. Ai ka thënë se e kontraktuar për kryerjen e punimeve në këtë ndërtesë ka qenë kompania “Berisha Group”.
Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për ndodhinë e këtij punëtori, duke shtuar se detyra e kompanisë VG Contruction ka qenë vetëm investimi.
“VG Contruction është investitor në këtë objekt. Ne e kemi kontraktuar kompaninë “Berisha Group”, e cila e ka pasur përgjegjësinë për kryerjen e punimeve”, ka thënë Gashi.
Insajderi ka kontaktuar edhe me Naim Berishën, pronar i kompanisë “Berisha Group”. Berisha ka thënë se punëtori i lënduar ka qenë duke punuar për kompaninë “Tre vëllëzërit”, kompani e cila sipas Berishës, ka qenë e nënkontraktuar për kryerjen e disa punimeve.
Ai e ka konfirmuar se është marrë në pyetje nga ana e Policisë së Kosovës, duke shtuar se vetëm ka treguar për kompaninë në të cilën punuar personi i lënduar.
“Kompania ka qenë e nënkontraktuar nga ne. Kompania quhet “Tre vëllëzërit”. Në polici i kemi dhënë detajët që i kujt ka qenë punëtori. Agjë më shumë”, ka thënë Berisha për Insajderi.
Insajderi ka kërkuar nga ana e Policisë dhe Prokurorisë që të japin detaje lidhur me këtë rast. Mirëpo, ata nuk kanë dashur që japin detaje lidhur me këtë rast./Insajderi.com
FOTO: Punëtori që u rrëzua nga lartësia prej gjashtë metrash
Për lëndimet e punëtorëve në vendet e tyre të punës, dhe diskriminimet ndaj tyre, Insajderi kishte rezalizuar dokumentar. Dokumentari i prodhur nga InDoks, titullohet: “Ndërtimi mbi gjak”. Dokumentarin mund ta shikoni duke klikuar KËTU: