Deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se sa të jetë president, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, e më pas edhe replika e kryeministrit Avdullah Hoti, se pa njohje reciproke nuk do të ketë marrëveshje midis dy vendeve, ka bërë që të reagojë edhe Bashkimi Evropian.
Në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, nga zëdhënësja e BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Nabila Massrali, thuhet se Blloku nuk i komenton këto deklarata.
Ndonëse nuk deshën fare të merren me këto “grindje” midis Hotit e Vuçiq, Massrali tërthorazi thotë se kohëzgjatja e procesit të dialogut përcaktohet nga të dyja palët.
Ajo tutje thotë se si ndërmjetësues, Bashkimi Evropian do të punojë që t’i japë kohën e mjaftueshme bisedimeve pa i përshpejtuar ato.
E pyetur se kur pritet që të zhvillohet takimi i radhës midis dy delegacioneve në Bruksel, duke mos treguar një datë të saktë, zëdhënësja e BE-së tha se do të punojnë aq sa është e nevojshme për të mos e zvarritur dialogun pa nevojë.
“Si rregull i përgjithshëm, BE nuk komenton mbi komentet. Ritmi i dialogut përcaktohet nga të dy palët. Si lehtësues, BE do t’i japë Dialogut kohën e nevojshme pa e shpejtuar atë artificialisht, por në të njëjtën kohë edhe pa e zvarritur atë pa nevojë”, ka thënë Massrali për redaksinë.
Replikat në distancë midis Hotit e Vuçiq rreth fazës finale të negociatave Kosovë-Serbi, nisën të shkëmbeheshin dy ditë më parë, meqë i pari i Serbisë u deklarua për “mosnjohje të pavarësisë së Kosovës”, duke thënë se ” deri në prill të vitit 2022, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”, duke aluduar në përfundim të mandatit të tij si president.
Kjo frazë e nxiti kryeministrin Hoti të reagojë me anë të rrjeteve sociale, ku tha se “nëse nuk ka njohje reciproke, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë”.
“Deklaratat se fqinji ynë verior nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nuk i kontribuojnë dialogut ndërmjet dy vendeve”, shtoi tutje Hoti.
Kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë më 4 shtator të këtij viti, kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit amerikan Donald Trump.
Kjo marrëveshje nuk ka filluar së zbatuari akoma, ndonëse pala kosovare thotë se ajo marrëveshje do të zbatohet.
Mediet në Serbi citojnë presidentin serb të ketë thënë se SHBA tash edhe pse me një president të ri, “nuk do të ndryshojnë pozicionin e tyre ndaj Kosovës, pa marrë parasysh se cila administratë është në pushtet”.
Dialogu midis këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor ka nisur në vitin nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, e që ka për synim normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Dy javë më parë i ngarkuari i fundit i BE-së në dialogun Kosovë Serbi Mirosllav Lajçak, tha se procesi nuk është i bllokuar dhe takimi i radhës ndërmjet Hotit dhe Vuciq do të mbahet “sapo të krijohen kushtet”. /Insajderi.com