Reshitaj: Kosova do të ngadalësojë rritjen e emetimeve të gazrave serrë

Reshitaj: Kosova do të ngadalësojë rritjen e emetimeve të gazrave serrë

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, ka shprehur nevojën e bashkëpunimit mes shteteve në zgjidhjen e problemeve për ndryshimet klimatike, dhe kërkoi që Kosova të ketë qasje në fondet ndërkombëtare për mjedisin.

Ajo këto komente i bëri në takimin e nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor mbi mjedisin dhe ndryshimet klimatike, që po mbahet në Bon të Gjermanisë, organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Reshitaj tha se Kosova është e përkushtuar në  krijimin e një mjedisi të pastër duke reduktuar efektet serrë dhe falë angazhimeve  në krahasim me vendet tjera evropiane, ajo ka emetime relativisht më të ulëta të gazrave për kokë banori.

“Shteti ynë do të ngadalësojë rritjen e emetimeve të gazrave serrë nëpërmjet rritjes së efikasitetit të energjisë në të gjithë sektorët; investimi në burimet e ripërtërira të energjisë dhe përdorimi i qëndrueshëm i burimeve të saj natyrore”, tha ajo.

Pjesëmarrësit në këtë takim miratuan deklaratën mbi mjedisin dhe veprimin klimatik në Ballkanin Perëndimor, duke rënë dakord për nevojën  e bashkëpunimit mes vendeve për të përmirësuar koordinimin e iniciativave dhe projekteve ekzistuese rajonale,  si dhe ato që do të zhvillohen për t’i shërbyer qëllimeve të Strategjisë së Evropës Juglindore 2020.

Ndryshe, deri më tani Kosova për dallim nga shtetet tjera, në këto takime është përfaqësuar vetëm nga stafi administrativ dhe jo nga ministri i Mjedisit, kurse tani është hera e parë që shteti ynë përfaqësohet nga një ministër si shtet i pavarur.