Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj pas përfundimit të seancës për zgjedhjen e Presidentes, ka thënë para mediave se për herë të parë në histori të vendit kanë lënë jashtë ndikimin e Listës Serbe në formimin e institucioneve.
“Unë isha sot pjesë e kësaj seance, pjesë e opozitës së bashku me një pjesë të LDK-së, dhe mund ta them me shumë bindje që për herë të parë në histori të vendit kemi lënë jashtë ndikimin e Beogradit për ndërtimin e institucioneve të vendit Kemi dhënë një mesazh të jashtëzakonshëm që jemi ne ata që vendosim për vendin tonë”, u shpreh Reshitaj.
E pyetur nga gazetarët se a është përjashtuar nga partia pas vendimit të saj për të marrë pjesë në këtë seancë, Reshitaj u shpreh se “Jam pjesë e AAK-së, jam nënkryetare e partisë. Ende nuk është mbledh kryesia e partisë për të marrë ndonjë vendim”.
Tutje ajo shtoi se në rast se do të përjashtohet nga partia do të qëndroj deputete e pavarur.
“Nuk besoj që do të vie deri tek përjashtimi, por do të qëndroj deputete e pavarur”, tha Reshitaj./Insajderi.com