Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se partia e saj ka kërkuar shqyrtimin e masave të reja për menaxhimin e pandemisë, njofton Insajderi.
Ajo në emisionin Interaktiv ka thënë se mbyllja totale e vendit nuk është zgjidhje, duke shtuar se mund të gjenden alternativa tjera.
“Ditë më parë jemi informuar se është duke u shqyrtuar mbyllja totale e vendit si menaxhim i pandemisë. Ne si AAK pas analizave që kemi bërë kemi ardhur në përfundim që së bashku me pjesën e qeverisjes që e kemi brenda koalicionit qeveritar të kundërshtojmë një mbyllje totale të vendit në këtë fazë pasi konsiderojmë se ka edhe alternativa tjera në menaxhim të pandemisë para mbylljes totale që do të kishte pasoja të rënda ekonomike dhe të shëndetit publik qytetar”, ka thënë ajo.
Tutje ajo ka thënë se kanë kërkuar një rishqyrtim të masave nga pjesa tjetër e qeverisë.
“Sot është mbajtur një takim informues në mes të Hotit, zëvendëskryeministrit Tahiri, ministrit të Shëndetësisë dhe disa odave ekonomike me ç ‘rast është marrë një vendim i përbashkët që të shkojnë me masa edhe më strikte por edhe jo mbyllje totale të vendit”./Insajderi.com