Reshitaj sqarohet edhe një herë: Nuk jam larguar nga AAK-ja

Reshitaj sqarohet edhe një herë: Nuk jam larguar nga AAK-ja

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, është sqaruar edhe një herë pse vendosi të ndjekë linjë tjetër krahasuar me partinë e saj sa i përket votimit të Vjosa Osmanit presidente, si dhe ka thënë se nuk është larguar nga AAK-ja, njofton Insajderi.

Ajo ishte e pranishme në seancën që zgjati dy ditë dhe votoi në të gjitha rundet, gjë që nxiti reagimin nga AAK-ja.

Reshitaj tha se dy arsye kryesore pse e shtynë të bëjë këtë: shmangien e zgjedhjeve të reja në kohë pandemie dhe zvogëlimin e ndikimit të Listës Serbe.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë në një situatë të rënduar nga Pandemia, do të ishin rrezik tepër i madh për qytetarët tanë, të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë që institucionet të merren me menaxhimin e kësaj gjendje dhe jo të kontribuojmë që situata të përkeqësohet. Si një profesioniste shëndetësore nuk kam mundur ta bindi vetën që diçka e tillë të ndodh. Së dyti, me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në integritetin e shtetit të Kosovës, është fakti se ne nuk mund të lejojmë që Lista Serbe të arrijë që ta bllokoj vendin me direktiva nga politika e Beogradit ashtu siç kemi qenë të detyruar në të kaluarën”, ka shkruar ajo në Facebook të hënën.

Ajo ka thënë se qëndrimin e saj e ka shfaqur edhe në forumet tona partiake.

“Ndërkaq për zërat dezinformues dhe me tendenca të caktuara se gjoja mund të ketë qenë ndonjë interes personal imi që më ka shtyrë të marr atë vendim, më vjen keq për nivelin e tillë të propagandave dhe trillimeve. Në këtë aspekt e ritheksoj që qëndrimi im është i bazuar vetëm në arsyet humane dhe profesionale sepse kështu e kam të ndërtuar karakterin dhe personalitetin tim. Për këtë, më mirë se çdo fjalë e thënë, koha do t’i dëshmojë të gjitha”, ka shtuar ajo.

Po ashtu ka thënë se nuk është larguar nga partia.

“Unë jam pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës derisa besoj që edhe mendimi ndryshe është pjesë e demokracisë brenda partisë që i takoj”, ka shkruar Reshitaj./Insajderi.com