Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka thënë se në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, ka marrë pjesë meqë respekton një aktgjykim që i kërkon çdo deputeti të qëndrojë në sallë, në periudha kur ka votime të tilla, njofton Insajderi.
Ajo shtoi se në seancë nuk ka shkuar të votojë pro asnjë kandidati, por që ishte e pranishme për të mos lejuar që pas 20 vjetve të dirigjohet e ardhmja e vendit nga Lista Serbe.
Madje, Reshitaj shtoi se nuk është larguar nga AAK.
“Nuk jam larguar nga AAK, kam mendim ndryshe. Ende i bëjë thirrje partisë, Grupit Parlamentar që të reflektojë dhe të jemi këtu. Besoj që edhe Ramush Haradinaj ndan mendim të njëjtë me mua. As AAK nuk është që ta çoj vendin në zgjedhje dhe të rrezikohet shëndeti i qytetarëve”, ka thënë ajo.
“Nuk kam mundur të lejoj që e ardhmja e funksionalizimit të institucioneve të vendit tonë, institucionit më kredibil të varet nga Lista Serbe apo të bllokohet nga Lista Serbe, e cila siç e dimë të gjithë është e dirigjuar nga politika e Aleksandër Vuçiq”.
“Kjo çka kam bërë sot kam respektuar një aktgjykim që kërkon që çdo deputet të qëndrojë në sallë në periudha kur kemi votime të tilla”.
“Nuk kam ardhur të votoj pro asnjë kandidati, por kam ardhur të jem pjesë e seancës që të mos lejojmë që pas 20 viteve të dirigjohet e ardhmja e vendit tonë të varet nga Lista Serbe”, tha Reshitaj. /Insajderi.com