Disa rrugë në Gjakovë janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe borës që filluan gjatë mbrëmjes së të enjtes dhe po vazhdojnë akoma, njofton Insajderi.
Kuvendi Komunal në Gjakovë njofton se të gjithë operatorët janë në teren dhe janë duke u munduar që të sanojnë problemet.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët vijuese dhe situata të tilla do të mund të na përsëriten.
“Deri më tani janë raportuar situata të rënduara në hyrje-daljet e qytetit, tek rruga “Qazim Bakalli”, tek Ura që lidh Bllokun e Ri me Shkugëzen, kemi bllokim të rrugëve “Fehmi Agani” dhe “Gaspër Karaqi” si dhe paralagjia Brekoc. Lusim qytetarët që të shmangin qarkullimin në këto pjesë.
Në mënyrë që të jemi më afër jush, për çdo vështirësi që paraqitet në lagjen tuaj, ju lutem telefononi në Qendrën e Thirrjeve Emergjente përmes numrit 112☎️ dhe ne do të jemi në shërbim me të gjitha kapacitetet për të minimizuar problemin”, thuhet në njoftim./Insajderi.com