Respektimi i masave anti-COVID ndikon në uljen e rasteve të gripit sezonal

Respektimi i masave anti-COVID ndikon në uljen e rasteve të gripit sezonal

“Bartja e maskave dhe respektimi i distancës fizike ka ndikuar në uljen e rasteve të gripit sezonal”.

Kështu deklaroi Nesrije Paqarada, specialistes e mjekësisë familjare, transmeton Insajderi.

Paqarada shtoi se pasi që gripi sezonal bartet përmes teshtimës, ka gjasa që bartja e maskës dhe ruajtja e distancës për shkak të pandemisë, ka bërë që këtë vit të ketë numër më të ulët të rasteve me grip sezonal.

“Këto ditë kemi më pak raste me grip sezonal, gripi sezonal është një infeksion viral ngjitës i organeve të frymëmarrjes dhe rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktohet nga disa tipe të virusit A, B dhe C. Në këtë vit nuk kanë qenë shumë të shpeshta rastet, ndoshta mund të themi që përdorimi i maskave dhe i distancës ka kontribuar që numri i pacientëve me infeksione virale pra me grip sezonal ka qenë më i vogël, për shkak se gripi sezonal shpërndahet dhe e ka burimin te njeriu i sëmur i cili gjatë kollitjes apo teshtimës mund të qet spërklat të cilat mund të përcillen pastaj te personat e tjerë. Nuk është bërë ndonjë studim i veçantë por si doktoreshë mendoj që përdorimi i maskave dhe ruajtja e distancës e ka zvogëluar numrin e pacientëve me grip sezonal”, tha ajo.

Specialistja e mjekësisë familjare po ashtu tregoi se ka pasur një numër të madh të të moshuarve të interesuar për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal.

“Vaksinimi kundër gripit sezonal bëhet në muajin tetor. Ka qenë një numër mjaft i madh i të moshuarve dhe punëtorëve tjerë të cilët kanë qenë të ndikuar dhe vaksinimi është kryer në afat të mirë kohor. Vaksinën kundër gripit e marrin personat mbi moshën 65-vjeçare, por edhe me të rinj që kanë sëmundje kronike. Ajo ndikohet të merret sepse në momentin që merret vaksina kundër gripit dhe nëse nuk i bien personit gripi atëherë është më i lehtë për të përballuar sëmundjet që ka”, shtoi ajo për EO.

Paqarada gjithashtu tha se ka vështirësi në gjetjen e dallimit mes simptomave të gripit sezonal dhe virusit Corona.

Ajo u shpreh se si dallim i vetëm që kanë arritur të evidentojë deri më tani është vetëm koha e inkubacionit, ku gripi sezonal zgjatë deri tri ditë kurse personi me Covid ka simptoma deri në shtatë ditë./Insajderi.com