Reuters: Kosova voton në zgjedhje që mund të komplikojnë dialogun me Serbinë

Reuters: Kosova voton në zgjedhje që mund të komplikojnë dialogun me Serbinë

Mediumi anglez Reuters shkruan se Kosova voton të dielën në zgjedhjet të cilat mund të komplikojnë dialogun me Serbinë, transmeton Insajderi.

Sipas këtij mediumi, këto zgjedhje nacionale mund të komplikojnë përpjekjet perëndimore për të zgjidhur mosmarrëveshjen territoriale që ka zgjatur me dekada me Serbinë.

Sipas sondazheve, partia Vetëvendosje do të fitojë 45% deri në 55% të votave.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili shërbeu si kryeministër për pesë muaj vitin e kaluar, ka fituar mbështetjen e qytetarëve me premtimet për të luftuar korrupsionin e përhapur dhe me qëndrimin se nuk duhet të ketë kompromis në dialog me Serbinë, shkruan Reuters.

Serbia, e mbështetur nga Rusia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, duke përmendur nevojën për të mbrojtur të drejtat e pakicës së saj serbe në Kosovë.

Negociatorët nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë arritur të sigurojnë një kompromis për të lejuar Kosovën të anëtarësohet në Organizata Ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara dhe NATO, shkruan tutje Reuters.

Me një të tretën e forcës së saj të punës të papunë dhe një prodhim të brendshëm bruto për banor prej 4 mijë e 300 dollarë, Kosova mbetet vendi më i varfër në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pothuajse 2 mijë e 400 qendra votimi u hapën në ora 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në ora 19 pasdite. Rezultatet e para priten disa orë më vonë./Insajderi.com