Agjencia e lajmeve Reuters, ka raportuar për mbi 100 mijë vaksina nga AstraZeneca të cilave u ka skaduar afati në Kosovë.
Sipas kësaj media, Qeveria e Kosovës vendosi të shkatërrojë 133,000 vaksina AstraZeneca kundër COVID -19 të cilave u ka skaduar afati, pasi vendi përballet me një rritje të mprehtë të shkallës së vdekjeve nga ky virus.
Vaksinat që do të shkatërrohen ishin pjesë e një donacioni nga Norvegjia, transmeton Shqip.com.
Vendimi për shkatërrimin e vaksinave shkaktoi kritika, me disa njerëz që kërkuan dorëheqjen e Ministrit të Shëndetësisë në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook.
Mosgatishmëria për të marrë vaksina, vështirësitë teknike gjatë përpjekjes për të caktuar termin në internet dhe propaganda për dëmet nga vaksinat e kishin vënë Kosovën ndër vendet me normat më të ulëta të vaksinimit në Evropë me 15.7%, shkruan më tej Reuters.
Në shtatë ditët e kaluara 157 njerëz vdiqën në Kosovë nga infeksioni COVID-19, dhe më shumë se 12,0000 raste të reja u regjistruan në mesin e 1.8 milion popullatës së vendit.
“Rastet e reja i atribuoheshin tubimeve të tilla si dasmat dhe heqja e plotë e kufizimeve. Duke filluar nga kjo javë janë vendosur kufizime të reja duke përfshirë një shtetrrethim nga ora 10 pasdite deri në 5 të mëngjesit”.
“Mijëra kosovarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, të cilët kanë kaluar pushimet në Kosovë gjatë verës kanë rezultuar pozitivë kur janë kthyer në vendet e Evropës Perëndimore”.
Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia tha se shumë njerëz refuzuan të marrin vaksinën AstraZeneca pas “dezinformatave” se vaksinave tashmë kanë skaduar, gjë që i bëri njerëzit të qëndrojnë larg.
Në Kosovë njerëzit mund të zgjedhin midis vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer/BionTech. Por për shkak të disa raporteve mbi vaksinat AstraZeneca, njerëzit kryesisht kanë zgjedhur Pfizer/BionTech.
Vitia tha se në ditët në vijim Kosova do të pranojë 500,000 vaksina Pfizer/BionTech nga Shtetet e Bashkuara, dhe 250,000 vaksina AstraZeneca nga Gjermania dhe Italia si donacione./Insajderi.com