Reuters shkruan për zgjedhjet në Kosovë: “Dy parti opozitare të parat në garë”

Reuters shkruan për zgjedhjet në Kosovë: “Dy parti opozitare të parat në garë”

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit po zënë vend edhe te mediet ndërkombëtare, njofton Insajderi.

Së fundmi për këto zgjedhje të cilat u mbajtën në mënyrë demokratike dhe pa incidente, ka shkruajtur e përditshmja amerikane ‘Reuters’, e cila thotë se rezultatet e hershme kanë treguar se fitorja si duket i takon partisë opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa vendi i dytë në këto zgjedhje pritet të rezervohet nga një tjetër parti opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.

“Rezultati i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili u bazua në 46% të votave të numëruara, tregoi Vetëvendosjen në krye me 48%, ndërsa një parti tjetër e opozitës Partia Demokratike e Kosovës (PDK) parashikohet të vijë e dyta me 18.3% të votave”, thuhet në këtë artikull.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në pushtet (LDK) parashikohet të vijë e treta me 13.7%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) parashikohet të fitojë 8.2%”, shkruan ‘Reuters’, transmeton Insajderi.

Sipas rezultateve paraprake, Vetëvendosje nuk pritet të sigurojë shumicën e 61 vendeve në parlament dhe do të duhet të gjejë një partner të koalicionit për të formuar një qeveri. /Insajderi.com