Rexhepi: Kemi siguruar kuorumin për zgjedhjen e presidentit

Rexhepi: Kemi siguruar kuorumin për zgjedhjen e presidentit

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

“Jemi në pritje të takimit të kryesisë (së kuvendit). Koha e seancës ende nuk dihet. Pritet të jetë pasdite”, ka thënë Rexhepi për REL.

Që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, duhen nënshkrimet e të paktën 40 deputetëve. Më pas, kryesia e kuvendit mblidhet për të caktuar kohën e mbajtjes së kësaj seance.

Vjosa Osmani aktualisht është kandidatja e vetme për presidente të vendit. Ajo në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me LVV-në. Kjo e fundit ka arritur të marrë mbi 50 për qind të votave, ndërsa Osmani ishte më e votuara me mbi 300 mijë.

Për të zgjedhur presidentin, në votimin e tretë duhet të jenë 80 vota minimum, me 61 prej tyre pro një kandidati. Vetëvendosje ka 58 vota, ndërsa pritet t’i ketë edhe 8 të tjera nga minoritetet jo shumicë. Bashkë me to, i duhen minimum 14 vota nga LDK-ja për të siguruar kuorumin e nevojshëm./Insajderi.com