Kuvendi i Kosovës nuk do të mundë ta miratojë një rezolutë me anë të së cilës do të mbështetej kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, pasi që vlerësohet se do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Në PDK dhe në PSD thonë se kërkesa e shqiptarëve të Luginës duhet përkrahur, ndërsa në LDK insistojnë që kjo bie ndesh me aktin më të lartë juridik
Kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, e drejtuar Kuvendit të Kosovës për ta nxjerrë një rezolutë me anë të së cilës do të mbështetej kërkesa e tyre për bashkim me Kosovën, nuk po gjen përkrahje te të gjitha partitë politike, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Kjo pasi disa prej tyre një gjë të tillë po e konsiderojnë antikushtetuese dhe lojë të rrezikshme të presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.
Teksa ka folur rreth kësaj rezolute, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se detyrë e tij është ta zbatojë Kushtetutën, ndërkohë në aktin më të lartë juridik theksohet qartë që “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.