Rezultatet e dy qeverive për 1 Majin- 61 vdekje në vendin e punës

Rezultatet e dy qeverive për 1 Majin- 61 vdekje në vendin e punës

Kosova vazhdon të përballet me shkallë të lartë të papunësisë, edhe pse punësimi ka qenë premtimi kryesor i qeverive që nga shpallja e pavarësisë. Por, edhe personat që kanë fatin të punojnë përballen me kushte të rënda, me dhjetëra prej tyre që kanë gjetur vdekjen në vendin e punës.

Mosrespektimi i ligjeve në fuqi ka bërë që gjendja e punëtorëve në Kosovë të vazhdojë të jetë e rëndë.

Pagat e ulëta, orari i tejzgjatur, vonesat e pagave, mungesa e sigurimeve shëndetësore, janë vetëm disa prej preokupimeve të punëtorëve, sidomos të sektorit privat.

“Edhe në këtë 1 Maj, gjendja e punëtore është e keqe. Nuk ka përmirësim të kushteve për punëtorët ne sektorin privat. Qeveria është dashur t’i implementojë ligjet që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës”, ka thënë sot Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

“Ka punëtorë që merr 150 euro, dhe kjo është e tmerrshme. Ka edhe mos pagesë të kontributeve”, ka deklaruar ai pak kohë para se t’i bashkohej një proteste në Prishtinë.

Në fakt, për shkak të kushteve të rënda të punës, numri i personave të lënduar dhe të vdekur në vendin e punës, përkatësisht në sektorin e ndërtimtarisë, është rritur nga viti në vit.

Sipas statistikave të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në periudhën 2011-2015, kanë humbur jetën 61 persona në vend të punës dhe 220 vetë janë lënduar.

Një raport i auditimit i publikuar muaj më parë, ka gjetur se Ministria e Punës dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës si autoritet kyç për sigurinë dhe shëndetin në punë nuk kanë arritur të zbatojnë ligjin, rregulloret dhe standardet për këtë fushë.

“Për pasojë gjendja e sigurisë dhe shëndetit në punë në vendin tonë ende nuk është në nivelin e pranueshëm”, thuhet në raportin e auditimit.

Zyra e Auditimit gjithashtu ka vlerësuar se inspektorati i punës nuk ka një plan për inspektimet, dhe se ajo i bënë ato në mënyrë të rastësishme dhe pa plan paraprak.

Çështja e punësimit vazhdon të jetë një nga temat më sfiduese të shoqërisë kosovare. Zyrtarisht, thuhet se papunësia në vend është rreth 30 për qind, shifër kjo që është kontestuar jo rrallë nga njohës të këtyre çështjeve, të cilët besojnë se numri i të papunëve është më i lartë.

Qeveritë e njëpasnjëshme kanë dhënë premtime të mëdha për të ulur numrin e papunësisë, por që kanë mbetur të parealizuara.

Dy partitë më të mëdha në vend, PDK dhe LDK, të cilat janë në një koalicion qeverisës, kanë premtuar se ulja e numrit të të papunëve do të jetë prioritet kryesor.

PDK kishte premtuar punësimin e rreth 200 mijë njerëzve, kurse LDK e cila udhëheq me qeverinë premtonte punësimin e 120 mijë personave.

Por, javë më parë, kryeministri Mustafa tha se në dy vitet e para të mandatit të tij janë punësuar  vetëm rreth 40 mijë njerëz.

Dhe, sot kur po shënohet dita e punëtorëve, përgjegjësit institucional për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e kushteve të punëtorëve nuk kanë bërë qoftë edhe ndonjë deklaratë për këtë çështje.

Deri më tani, as kryeministri Isa Mustafa e as Ministri i Punës e Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, nuk janë deklaruar publikisht.

Një deklaratë lidhur me këtë çështje Mustafa e kishte bërë më 12 prill të këtij viti, pas një takimi me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, i cili shoqërohej nga të gjithë udhëheqësit e sindikatave të veçanta në kuadër të BSPK-së.

Mustafa pranoi se ka pasur ngecje në realizmin e disa pjesë të Marrëveshjes Kolektive.

“Ne u interesuam bashkërisht që të implementohen të gjitha pjesët e Marrëveshjes Kolektive, jo vetëm 0.5 për qindëshi që është i ndërlidhur me përvojën e punës, i cili obligim po ashtu ka akoma ngecje tek disa organizata të privatizuara ose organizata private të cilat nuk e realizojnë këtë”, ka thënë Mustafa.

“U morëm vesh që Marrëveshja e ardhshme, e cila do të jetë vazhdimësi e kësaj Marrëveshje tëpunohet bashkërisht ndërmjet të dy ekipeve, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje të cilat do të implementohen në mënyrë të plotë në të ardhmen”./Insajderi.com