Rezultatet e komuniteteve jo serbe drejt Kushtetueses

Rezultatet e komuniteteve jo serbe drejt Kushtetueses

Rezultati që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit nga partitë e komuniteteve jo shumicë po konsiderohet si çështje që duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, njofton Insajderi.

Kjo po ndodh pas disa pretendimeve se Lista Serbe ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve te komunitetet jo-shumicë.

Sipas rezultateve preliminare, me ndihmën e Listës Serbe partia e Adriana Hoxhiq dhe Iniciativa Rome do të marrin ulëse në Kuvend.

Mirëpo sipas organizatës “Çohu” kjo dukuri ka bazë për t’u dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Kam përshtypjen që kjo dukuri është antikushtetuese bazuar në formulën e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në Kuvendin e Kosovës. Nëse shkojmë edhe më tutje, edhe Kodi Penal i Republikës së Kosovës përkujdeset për të mbrojtur vullnetin e votuesve”, deklaroi Genc Nimoni.

Subjektet e minoriteteve jo-serbe që morën këto vota nga komuniteti serb, sipas Florent Spahisë nga KDI nuk përfaqësojnë komunitetet jo-serbe.

“Partitë e minoriteteve që kanë marrë vota nga komuniteti serb i kisha llogaritur në kuadër të votave që kanë prag zgjedhorë pra për 100 mandate, pasi ato vota nuk mund të anulohen pasi janë të ligjshme dhe të dhënë në zgjedhje. Mund të them se ato vota nuk përfaqësojnë komunitetin për të cilin i kanë marrë, pasi ai komunitet nuk i ka votuar për t’i përfaqësuar”, deklaroi Florent Spahija.

Sipas rezultateve preliminare Lista Serbe merr 10 mandatet e garantuara për komunitetin serb./Insajderi.com